Suley Muntari është lojtari i fundit që është bashkuar me skuadrën e Inter-it, por jo më pak i rëndësishmi.
Dhe ganezi duket ta ketë mahnitur vërtetë trajnerin portugez të zikaltërve, Mourinho, i cili është gati t’i besojë atij një rol të rëndësishëm në skuadrën e sezonit të ardhshëm.
Gjithsesi, ish mesfushori i Portsmuth-it dhe Udinese-s është i gatshëm të luftojë për të bindur trejnerin dhe për të merituar fanellën e titullarit tek skuadra kampione e Serisë A.
Muntari, bilanci juaj në këtë fillim aventure me skuadrën e Inter-it?
Ndihem tepër komod në një shoqëri të tillë dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se jam ambientuar menjëherë me pjesën tjetër të skuadrës. Inter është një skuadër e mbushur me kampionë, prandaj puna me ta bëhet edhe më e lehtë për mua.
Përpara se të mbërrinit në Milano, cilët nga shokët tuaj aktualë njihnit?
Jam përballur me shumë prej tyre gjatë viteve të mia tek Udinese, por me të vetmin që kam pasur një farë komunikimi ka qenë Patrick Vieira.
Jam takuar me të vitin e kaluar në një klinikë në Cean të Francës, ku të dy po kuroheshim për dëmtimet e pësuara gjatë sezonit. Drekuam së bashku dhe biseduam paksa.
Atëherë duhet t’ju ketë ardhur keq për ndalesën e radhës me të cilën është përballur Vieira?
Shumë, pasi Patrick është një person i mrekullueshëm dhe mbi të gjitha një mesfushor i jashtëzakonshëm.
Por ja që gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë i pafat në lidhje me dëmtimet e shumta.
Inter ka besuar tek ju vetëm pasi ka kuptuar se Lampard nuk do të vinte më në Milano. E duke u bazuar te ky fakt, a ndiheni më shumë si një zgjedhje e dytë, pra e detyruar?
Jo, sepse përpara se të vija tek Inter, bisedova me Mourinho-n, i cili më shpjegoi hapur situatën. Nëse nuk do të merrte Lampard-in, atëherë opsioni tjetër për të kompletuar repartin e mesfushës isha unë.
Lampard është një kampion i padiskutueshëm, por tani tek Inter jam unë dhe dua të jap maksimumin për t’u shndërruar në një lojtar të rëndësishëm të këtij klubi.
Ju shqetëson konkurrenca e madhe në mesfushën zikaltër?
Jo, sepse zgjedhjet i takojnë Mourinho-s, kështu që askush nuk e ka të sigurt një pozicion në skemat e tij.
Secili nga ne do të luajë shanset e tij gjatë stërvitjes me skuadrën për ta merituar fanellën e titullarit.
Ngaana tjetër, më duhet ta pranoj se nuk kisha qenë kurrë pjesë e një skuadre të mbushur me kaq shumë kampionë.
Shokët tuaj të rinj dominojnë prej tri vitesh në Serinë A, ndërkohë që edhe trajneri që do të drejtojë Inter-in në sezonin e ardhshëm ka fituar shumë gjatë karrierës së tij. Cilat janë përshtypjet tuaja për Mourinho-n?
Stërvitja e drejtuar prej tij është gjithnjë dëfryese dhe çdo ditë e ndryshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë se të stërvitesh nën urdhrat e Mourinho-s s’është aspak e lodhshme, pasi ai kërkon përqendrimin maksimal.
Edhe pse të tjerëve mund t’i duket një person egoist, marrëdhënia ime me të është mjaft korrekte.
Eksperienca juaj e parë në Itali ishte me ngjyrat e Udinese-s. Kë duhet të falënderoni për të?
Gjatë karrierës sime kam pasur fatin e madh të stërvitem nga trajnerë të një kalibri të shkëlqyer, por përsa i përket formimit tim si futbollist, duhet të falënderoj Luciano Spalletin.
Falë besimit që ai pati në aftësitë e mia, Muntari është sot një nga lojtarët e njërës prej skuadrave më të mëdha në botë, Inter-it.
Më 24 gusht, keni shansin të luani ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Inter-it, pikërisht kundër Roma-s së drejtuar nga Spalleti, qka mund te na thoni per kete?
Takimi me të si kundërshtar do të jetë diçka shumë e veçantë për mua. Do t’i shtrëngoj dorën dhe do ta falënderoj, por pas bilbilit të pare unë do të bëj detyrën time si lojtar i Inter-it.
Si një lojtar i Kombëtares ganeze, i keni kërkuar ndonjë këshillë bashkëpatriotit tuaj tek Chelsea, Michael Essien, mbi punën tuaj me teknikun Mourinho?
Më ka thënë që nuk duhet ta nevrikos kurrë, sepse kur një gjë e tillë ndodh sjell dhimbje për të gjithë.
Shpresoj që mos të më ndodhë kurrë ta shoh të nevrikosur Jose Mourinho-n.